Nga Endrit Sauku
Stadiumi “Selman Stërmasi” është kthyer në shtëpi bardheblu prej disa vitesh. Pas rikonstrukisonit aty dominojnë ngjyrat e klubit të parë të kryeqytetit. Emri i kësaj arene përfaqëson figurën më interesante të KF Tiranës, presidentit të saj të parë. Këtë sezon ky stadium ka mbetur i vetmi në kryeqendrën e Shqipërisë që mund të presë ndeshje të Kategorisë Superiore dhe klube si Partizani emigruan jashtë qytetit për të luajtur ndeshjet shtëpi. “Elbasan Arena” edhe pse me një kapacitet më shumë se 12 mijë spektatorë nuk i shërben të kuqve, që duan të luajnë në kryeqytet edhe pse nuk kanë ende një stadium të tyre. Mundësia e vetme, pasi “Qemal Stafa” u shemb për t’i lënë vend “Arenës Kombëtare”, mbetet “Selman Stërmasi”. FK Partizani kërkoi më tepër se në një rast të luajë në shtëpinë e rivalëve të përjetshëm, por ende nuk ka patur një vendim përfundimtar. Tifozët bardheblu nuk i duan si zot shtëpi ata të kuq. Shikohet si një uzurpim të shtëpisë së tyre, një sakrilegj sportiv, në dorëzim pa kushte, qoftë edhe për 90 minuta. Deri më tani ka patur shkëmbim futbollistësh e trajnerësh, që pasuan shumë komente thumbuse në drejtim të “tradhëtarit”. Hapja e dyerve për ekipin e Partizanit dhe tifozëve të tij do të sillte të ardhura për Tiranën, një klub që funksionin si shoqëri aksionere per disa vitesh, por do të pasohej me hatërmbetje nga ana e tifozëve të betuar. Para do të shkonin edhe në arkën e Partizanit, pasi një stadium më pranë prodhon gjithmonë më shumë para. Disa prej tyre kanë edhe miq nga përkrahësit rivalë, por duket se ato 90 minuta në stadium përballë njëri-tjetrit janë si një thirrje “beteje” se i kujt është qyteti. Kjo çështje duket se do të mbyllet me një zgjidhje administratash, pasi vulën dhe firmën vetëm presidëntët e kanë. Tirana dhe Partizani, janë vendosur përballë një pyetje të madhe, duhet të zgjedhin paratë apo krenarinë?