Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra i mbyll me zero pikë kualifikueset e para zyrtare në histori. Skuadra e drejtuar nga trajneria Afërdita Fazlija u thye me rezultatin 3-1 nga Malta.
Ndeshje me dy fytyra ajo e luajtur në “Selman Stërmasi” për vajzat kosovare, që në pjesën e parë vuajtën presionin e kundërshtareve dhe e panë veten në disavantazh pas vetëm 12 minutave lojë.
Cuschieri i dha avantazhin Maltës, që në të 27-ën dyfishoi shifrat me Flask. Përpara pushimit të ndeshjes, vajzat malteze shënuan edhe golin e tretë me Theuma, duke mbyllur virtualisht takimin.
Në disavantazhin e tre golave dhe pa asgjë për të humbur, përfaqësuesja kosovare e femrave ndryshoi plotësisht në pjesën e dytë të lojës, ku provoi më tepër, ndërsa gjeti golin e nderit me mesfushoren 18-vjeçare Blerta Shala.
Kosova i mbylli para-eliminatoret e Botërorit për femra në vendin e fundit të Grupit 2, pa arritur të merrte të paktën një pikë. Humbja 3-2 me Shqipërinë u shoqërua nga disfata 6-0 përballë Greqisë, ndërsa ndaj Maltës vajzat kosovare provuan pa sukses të siguronin pikën e parë historike./ Supersport/