Trajneri i Shqipërisë Christian Panucci ka analizuar situatën e futbollistëve të tij në merkato. Në një prononcim të dhënë për “TV Klan”, kreu i pankinës kuqezi u shpreh i kënaqur me zgjedhjet e bëra nga sulmuesit Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi, të cilat i sheh në interesin e mirë të ecurisë së Shqipërisë gjatë fazës kualifikuese të kampionatit europian të 2020. Ai i ka kërkuar Elseid Hysajt të ruajë qetësinë dhe të jetë më i përqëndruar me detyrat si lojtar.
“Elseid Hysaj? Elsi duhet të qëndrojë i qetë, sepse është një lojtar i nivelit ndërkombëtar dhe për këtë arsye atij i nevojitet vetëm të qëndrojë i qetë.
Cikalleshi dhe Sadiku ndryshuan ekip? Uroj që të luajnë me vazhdimësi kjo është gjëja më e rëndësishme. Jam i bindur se Armando do të luajë, Cikalleshi do të luajë po ashtu. Sa më shumë të luajnë ata aq më shumë i lumtur do të jem unë sepse do të kem më shumë mundësi të zgjedh kur të bëj grumbullimet”, deklaroi tekniku 45-vjeçar.
Me rikuperimet e Sadikut, Abrashit dhe Roshit, Panuçi shpreson të ketë të plotë kontigjentin e Shqipërisë për 2019, ku synon të regjistrojë rezultatë sa më bindëse.