Kukësi mundi të marrë vetëm një barazim 0-0 ndaj Vallettes në ndeshjen e parë të turit të parë në Champions League. Pas përfundimit të takimit, ka folur trajneri i Kukësit, Peter Pacult i cili ka shpjeguar arsyen se pse mungoi goli në këtë takim.
Pacult shprehet i bindur në deklaratën e tij, duke thënë se në Maltë sigurojnë kalimin në fazën tjetër, duke specifikuar se presioni është ndaj Vallettës nga sot e tutje.
“Kukësi zbriti si favorit në këtë takim? Unë nuk e kam thënë kurrë këtë gjë. Kemi luajtur një pjesë të mirë të parë të lojës. Unë nuk kam folur kurrë për favoritë në këtë takim, këtë gjë po e thoni ju. Unë kam kohë të gjatë që jam pjesë e futbollit. Kemi dhe një ndeshje të dytë, kjo ishte vetëm pjesa e parë e lojës. Jam i kënaqur që nuk pësuam gol, që nuk bëmë gol, kjo të dhemb. Lojtarët e rinj në takimin e sotëm? Mund të na bëni pyetje tjetër, pasi nuk ka kritikë për lojtarët e rinj, mund të pyesni për diçka tjetër, pasi është ende herët për të dhënë kritika. Është vetëm fillimi, ka ende kohë. Është si puna e farës që mbillet në tokë, pra do kohën e vetë. Pamë që kishim përballë një kundërshtar me eksperiencë. Ne jemi në rrugën e duhur, po formohemi dhe po njohim njëri-tjetrin. Luajtëm pjesën e parë, patëm rastet tona, po ashtu edhe në pjesën e dytë. Duhet goli i cili sot mungoi. Jam i bindur që në ndeshjen e kthimit do bëjmë më mirë, do gjejmë golin e suksesit, atë që mungoi sot. Presioni në rastin konkret është ndaj Vallettës, pasi një gol do t’i çorientonte ata në shtëpi. Merkatoja? Nuk mund t’iu kthej një përgjigje, jemi të fokusuar te ndeshja e kthimit, për merkaton do flasim më vonë”.