Tefik Osmani ishte autori i golit të barazimit për Skënderbeun në takimin e parë çerekfinal të Kupës kundër Laçit.
Futbollisti korçar ka kaluar një moment delikat në jetën jashtë fushave të futbollit, sepse vëllai i tij ndërroi jetë disa javë më parë, ndërsa ky gol sipas Osmanit i dedikohet pikërisht njeriut të tij të dashur që tashmë nuk jeton më.
“Ka qenë një moment shumë i vështirë, por kam pasur mbështetjen e të gjithë aktorëve të futbollit, ndaj duhet t’i falënderoj. Goli i sotëm i dedikohet vëllait tim dhe gjithë skuadrës, sepse ne jemi një familje.
Unë si mesfushor sot? Do luaj aty ku trajneri dhe ekipi ka nevojë për mua.
Konflikti im me Dajën tek Elbasani? Për ta thënë në formë batute, kemi qenë të dy të rinj. Trajneri Daja ishte në fillimet e tij si trajner dhe unë shumë i ri, e ndoshta e kam pasur unë fajin për ndonjë moment nxitimi”, tha Tefik Osmani për Supersport në “Gol pas Goli”.