Botëtori fillon pasnesër me ndeshjen hapëse mes Rusise dhe Arabisë Saudite dhe e gjithë bota po pret me padurim për të ndjekur nga TV emocionet e sportit më popullor në botë, natyrisht përveç fatlumëve që do jenë në shkallët e stadiumeve të Rusisë. Por jo të gjithë do kenë këtë shans, të paktën deri tani. Madje kjo merr përmasa edhe më të çuditshme dhe të “dhimbshme” kur është kombëtarja e vendit tënd duke luajtur në Botëror por ti nuk ke ku ta ndjekësh.
Kjo “fatkeqësi” duket se do t’u ndodh tifozëve arabë dhe egjiptianë pasi 2 ditë përpara fillimit të Kampionatit Botëror, ende asnjë kanal apo platformë televizive në këto dy vende nuk ka arritur të sigurojë të drejtat e transmetimit të ndeshjeve.
Në gjirin Persik të drejtat televizive i ka “BeIN” me seli në Katar, i cili ka refuzuar ofertën nga televizioni publik i Arabisë Saudite prej 30 milionë Euro, për shkak të marrëdhënieve jo të mira diplomatike mes dy vendeve ku Arabia ka vendosur dhe sanksione ekonomike për Katarin.
Situatë e ngjashme edhe në Egjipt ku ndonëse të gjithë përulen përpara Mo Salah, sikur të mos mjaftonte dëmtimi i 25-vjeçarit në shpatull, gjasat për të parë “faraonin” të luajë ulen çdo ditë e më shumë pasi as në vendin e piramidave askush s’ka blerë të drejtat televizive.
Për këtë situatë ka ndërhyrë dhe presidenti i FIFA-s Xhani Infantino i cili është përfshirë në negociatat mes palëve për t’u siguruar tifozëve të këtyre dy vendeve pjesëmarrëse në Botëror të paktën mundësinë për të ndjekur ndeshjet e ekipeve të tyre.