Gara për zonën e Europës si edhe për mbijetesën në Superligë sa vjen dhe bëhet më e bukur. Me titullin kampion që ka marrë rrugën për në Korçë tashmë e gjithë vëmendja e tifozëve do përqëndrohet në këtë pjesë. Por një garë po ashtu interesante duket se do zhvillohet edhe për fitimin e Këpucës së Artë këtë vit në Superligë. Elis Bakaj që kryesonte listën e golashënuesve me 12 gola tashmë është larguar dhe duket se për këtë trofe individual do jetë një garë treshe.
Reginaldo i Laçit po ashtu është në kuotën e 12 golave dhe aktualisht udhëheq në listën e shënuesve. Pas tij me nga 11 gola për kokë vijnë Sowe i Skënderbeut dhe Guri i Kukësit. Të tre këta sulmues kanë treguar vazhdimësi në gjetjen e golit në javët e fundit dhe duket se janë pretendentë kryesorë për fitimin e çmimit prestigjoz. Por nuk lihen pas as sulmues me një eksperiencë të jashtëzakonshme si Plaku me 9 gola apo edhe Sefa në kuotën e 8 golave këtë sezon.