UEFA ka caktuar gjyqtarët për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Turqisë që do të luhet të premten në orën 20:45. Arbitër kryesor i takimit është vendosur gjermani Tobias Stieler, i cili do të asistohet nga Mike Picker dhe Christian Gittelman. Gjyqtar i katërt do të jetë Christian Dingert. Stieler njihet si një gjyqtar që i kursen kartonët e kuq, po jo ato të verdhë.
Në 10 ndeshje të Bundesligës, ai ka ndëshkuar futbollistët me 26 kartona të verdhë dhe është detyruar të nxjerrë vetëm 1 të kuq. Njihet si arbitër që lejon lojën e fortë duke mos i prishur ritmin e lartë ndeshjes. Pritet me interes të shihet se si do të jetë paraqitja e kuqezinjve tanë në fushën e blertë, të cilët do të tentojnë të marrin maksimumin në këtë sfidë të parë të eliminatoreve të Euro 2020.