Real Madrid ka triumfuar për herë të 11-të në “Ligën e Kampionëve”. Madrilenët arrijnë të mposhtin falë 11-metërshave skuadrën e Atletiko Madridit. Serxho Ramos dhe Karrasko janë vlerësuar me notën me të lartë (8), pasi realizuan golat e ndeshjës. Kapiteni i “Los Blankos”, kaloi i pari në avantazh skuadrën, ndërsa Karrasko barazoi shifrat në minutën e 80′ për Atletikon.
REAL MADRID
KEJLOR NAVAS 6– Shtyllat janë miqtë më të mirë të portierit nga Kosta Rika në mbrëmjen e madhe të Milanos. Traversa e ndihmon në penalltinë e Grizmanit dhe shtylla në goditjen e Huanfranit. E bekuar nga zotat e futbollit…
KARVAHAL 6,5– Shumë i lëvizshëm në krahun e tij. Lëviz me kompetencë dhe siguri në çdo minutë që luan, por dëmtimi e detyron të largohet nga fusha mes lotësh.
(Min 53′ DANILO 5– Ka impakt të menjëhershëm, por negativ për shokët e skuadrës. Surprizohet nga Karrasko në golin e barazimit, madje duke mos iu afruar fare. Rrezik publik.)
PEPE 5– E pashpjegueshme penalltia që shkakton ndaj Torresit, e cila mund të kishte rezultuar fatale për Realin. I vjen në ndihmë traversa, por edhe në pjesën tjetër të ndeshjes është një aktor i shëmtuar.
RAMOS 8– Gladiator në arenën “San Siro”. Është njeriu i kopertinës për një Real shumë pak “galaktik”. Ashtu si dy vite më parë, ai shndërrohet në makthin e Atletikos së Madridit. Një mbrojtës që vë firmën në dy finale të Ligës së Kampionëve dhe për më tepër është i saktë nga penalltia. Një film fantashkencë. Kur Atletiko nis të shtojë ritmin, nuk i kursen as ndërhyrjet e forta në këmbët e kundërshtarëve. Monument i madridizmit nëpër botë.
MARSELO 5– Huanfran e dominon jo vetëm në golin e barazimit, por edhe në shumë raste të tjera. Për më tepër, nuk është se bën një ndeshje prej protagonisti.
KASEMIRO 7– “Jo në shtëpinë time”. Në vendin ku ai luan, nuk mund të kalosh as duke bërë shaka, sepse “i zbuluari” i Zidanit është një digë e fortë dhe e pakalueshme.
MODRIÇ 6– Moxarti i vogël shkëlqen vetëm në pjesën e parë me pasimet e tij të zgjuara. Në pjesën e dytë, Atletiko i “vërsul” shumë muskuj dhe kroati e ka të vështirë të dirigjojë lojën e Realit. Megjithatë është një vlerë e shtuar për këtë skuadër.
TONI KROS 6- Koleksionon Champions-in e dytë me dy skuadra të ndryshme, për më tepër si një protagonist. Bën një ndeshje shumë të mirë dhe ngadalëson ritmin e lojës në mënyrë perfekte. Në pjesën e dytë bie fizikisht.
(Nga 72′ ISKO 6- Impakt pozitiv në ndeshje dhe integrohet menjëherë në manovrën e të tijve).
BEJL 7– Është më i miri i BBC-së në mbrëmjen gala të Milanos. Jep asistin me kokë për golin e Serxho Ramosit dhe transformon në gol penalltinë. Është si një kalë i vërtetë dhe nuk të tradhton në momentet e vështira. 100 milionë duket se u shpenzuan mirë.
BENZEMA 6– Punon shumë për skuadrën dhe zbaton urdhrat taktikë të Zidanit. Merr ndonjë goditje të fortë nga mbrojtësit, por nuk dorëzohet. Oblak i mohon golin.
(Nga 76′ VASKUEZ 6– E ka të vështirë të gjejë hapësira në lojë, por shënon penalltinë e parë që i jep frymëmarrje skuadrës).
RONALDO 6,5 – Ai ka lindur gati për gjithçka. Edhe atëherë kur nuk bën ndeshje të mirë, është i rëndësishëm për skuadrën dhe vulos fitoren e këtij trofeu historik për Realin.
TRAJNERI, ZIDAN 6,5 – Për të vlen shumë shprehja: Më mirë gjeneral me fat sesa i zoti. Në futboll vlen shumë edhe kjo. Bëhet trajneri i parë francez që fiton Ligën e Kampioneve. Njeri me fat.
ATLETIKO
OBLAK 5 – E nis ndeshjen mjaft mirë duke bërë dy pritje të shkëlqyera. Ndaj Ramosit është i pafat, sepse mbrojtësi i ndryshon rrugën topit. Edhe në fund e ndal në mënyrë perfekte Benzemanë, por në lotarinë e penalltive është thjesht vëzhgues. Mbrëmje për t’u harruar.
HUANFRAN 6 – Futbolli ndonjëherë është i padrejtë. Mbrojtësi i djathtë i Atletikos jep asistin perfekt për Karraskon që shënoi golin e parë dhe vë në vështirësi Marselon, por e ndëshkon skuadrën e tij nga penalltia. Fat mizor.
GODIN 7– I pakalueshëm. Një gjigant i vërtetë në çdo aksion. Mëshiron më së miri të gjitha karakteristikat e trajnerit të tij dhe i përçon ato në fushën e lojës.
SAVIÇ 6,5 – E vërtetë që gabon në golin e parë të Ramosit, por në pjesën e mbetur të ndeshjes bën ndërhyrje shumë të sakta dhe një prezantim pozitiv.
FILIPE LUIS 6 – Nuk luan si në dy ndeshjet e tjera të Ligës së Kampioneve, por mendon shumë për aspektin mbrojtës. Merr shumë pak iniciativa dhe ka frikën e Bejlit.
GABI 7 – Vuan në fillimin e ndeshjes, por pastaj kthjellohet që po luan një finale të rëndësishme dhe vendos të vërë rregull në skuadrën e tij. Inspiron aksionin e golit të barazimit dhe shndërrohet në një lider të vërtetë të skuadrës. Shpirti bardhekuq.
AUGUSTO 5 – I papërshtatshëm për një mbrëmje të tillë. Jashtë ritmit të lojës. Ishte si një peshk pa ujë.
(Nga 46′, KARRASKO 8 – Vjen nga stoli, por përmbys menjëherë ndeshjen. Gol, puthje dhe shumë kilometra të përshkruar. I trullos kundërshtarët e tij me driblime. Mund të ishte protagonist në filmin “Një javë si Zot”.
KOKE 6 – Në pjesën e parë vuan shumë, por kur Simeone i ndryshon pozicionin atëherë shfaqet Koke i vërtetë. Bën ndeshje të mirë dhe ka dëshirë të luftojë për çdo top në mesfushë.
(Nga 117′, TOMAS – PA NOTË).
SAUL 6,5– Shpërthimet e tij e vënë në vështirësi skuadrën e Zidanit dhe i japin oksigjen bandës së Simeones. Bëri një Champions të niveleve të larta.
GRIZMAN 6,5 – Penalltia e stampuar në traversë nuk e cenon aspak performancën e shkëlqyer të “djallit të vogël”. Pavarësisht se gaboi nga 11-metërshi, ai bëri një ndeshje të mirë dhe vuri në vështirësi mbrojtjen e Realit.
TORRES 6 – Në pjesën e parë është tmerr i vërtetë, sepse nuk bën asnjë pasim me shokët e skuadrës, por në të dytën “El Ninho” shfaqet i vërteti.
TRAJNERI, SIMEONE 6,5 – Mallkimi i Champions-it e godet sërish. Pas një pjese të parë që ua dhuroi kundërshtarëve korrigjon gabimet dhe tregon fytyrën e vërtetë të skuadrës së tij. Atletiko është skuadër më shumë se ky Real, por ndonjëherë fatin e këtyre ndeshjeve e vulosin edhe detajet. Humbja e dytë në 3 vite, por kjo e fundit djeg më shumë.