Shumë pak veta e kanë dëgjuar këtë emër, por tashmë e sigurt është që shumë të tjerë do të lexojnë për të dhe nuk do ta marrin për të mirëqenë kur ta kenë përballë. Bëhet fjalë për ekipin e Dudelange nga Luksemburgu, skuadrën e vogël nga vendi po aq i vogël i Europës që këtë sezon shkruajti historinë, duke u bërë klubi i parë i vendit që arrin grupet e një kompeticioni Europian.
Themeluar në vitin 1991, dhe me një stadium prej vetëm 2500 vende, Dudelange këtë vit e filloi aventurën e saj nga Champions League, ku në turin e parë u eleminuan nga kampionët e Hungarisë MOL Vidi. Kjo u dha të drejtën të kalonin në turin e dytë kualifikues të Europa League, ku filloi dhe rrugëtimi historik. Përballë Drita e Kosovës, fitore 2-1 në Luksemburg dhe barazim 1-1 në Mitrovicë. Turi i dytë u mendua si i pamundur, ku kundërshtar u caktua gjigandi polak i Legia Varshavë. Por luksemburgasit shkaktuan surprizën e madhe duke i eleminuar me rezultatin e përgjithshëm 4-3, për të kaluar në Play-off për herë të dytë në histori pas sezonit 2012-2013.
Ndryshe nga pesë sezone më parë, ku aventura u ndërpre aty, këtë vit Dudelange tejkaloi vetveten dhe nxori jashtë loje rumunët e CFR Cluj. Për herë të parë në grupet e Europa League, ku tashmë do të kenë luksin të masin forcat me Olympiacos, Milan dhe Real Betis, ku të tre këto klube historike bëjnë mirë të mos e marrin lehtshëm ‘hirushen’ e grupit. Një “mini-Skënderbe” luksemburgas, që tashmë është futur përgjithmonë në hartën e futbollit Europian. Një shembull kuptimplotë që pasioni dhe puna në futboll janë ndonjëherë të barazvlefshme me paratë e botës.