Kukësi do të luajë sot miqësoren e dytë në tokën turke. Pas humbjes në testin e parë kundër Bashakshehirit të Sokol Cikalleshit me rezultatin 3-1, kampionët e dimrit të Superligës do të përballen sot në orën 15:00 me skuadrën e FC Kairat që militon në Premier Ligën e Kazakistanit.
Kairat ndodhet në vendin e dytë në kampionat, 46 pikë në 22 ndeshje, 7 pikë më pak se vendi i parë që mbahet nga FC Astana.
Futboll Klub Kairat Almaty është krijuar në 1954, në atë periudhë me emrin Lokomotiv Alma-Ata.
Në vitin 1955 ndryshoi emrin në Urozhai dhe në 1956, ky klub mori emrin që mban edhe sot e kësaj dite, Kairat.
“Central Stadium” është impianti sportiv ku Kairat luan ndeshjet e tij, me kapacitet 23 mijë vende.
FC Kairat nuk është një kundërshtar i panjohur për klubet shqiptare, sepse në verën e vitit 2016 luajti kundër Teutës për raundin e parë eliminator të Europa League. Skuadra nga Kazakistani fitoi të dyja përballjet (5-0 dhe 1-0) ndaj ekipit durrsak duke kaluar më tej.
Lojtari më i njohur i FC Kairat është Andrei Arshavin, ish-futbollisti i Arsenalit dhe ish-sulmuesi i Rusisë. Sezonin e kaluar, skuadra nga Kazakistani kishte në përbërje edhe Anatoli Timoshuk, ish-kapiteni i Ukrainës dhe ish-mesfushor i Bajernit të Mynihut.
Një klub me të ardhura të mëdha financiare, ndonëse për momentin në kampionatin e Kazakistanit është në “hijen” e FC Astana.
Kairat ka fituar dy herë Premier Ligën e Kazakistanit: 1992, 2004 dhe shtatë herë Kupën: 1992, 1996, 1999–00, 2001, 2003, 2014, 2015.