Situata në skuadrën e Partizanit është tejet pozitive. Rezultatet po vijnë dhe tashmë të kuqtë ndodhen në vendin e parë, të vetëm në krye të tabelës së klasifikimit. Trajneri Skënder Gega ka futur një frymë të re në ekip dhe të gjithë luftojnë për një vend titullari. Cilësitë në fushën e blertë janë të padiskutueshme, por gjithashtu edhe në pankinë. Lajme të mira vijnë nga infermieria ku mësohet se Luka Kardozo e ka kaluar dëmtimin.
Ai po merr ngarkesën e plotë me grupin dhe së shpejti do të jetë i gatshëm për Skënder Gegën. Nëse braziliani do të kishte vijuar fazën e rikuperimit intensivisht edhe në Brazil, sot ai do të ishte kandidat për të qenë në 11-shen titullare. Trajneri shkodran është i qetë. Alternativat janë të shumta, ai vetëm duhet të bëjë zgjedhjen e duhur.