Skënderbeu duket se ka shumë çështje për të zgjidhur këtë merkato vere dhe gjithçka është bërë lëmsh pas vendimit të CAS-it që la në fuqi vendimin e UEFA-s për pezullimin me 10 vjet nga Europa dhe gjobën 1 milionë euro.
Në këto kushte, shumë prej titullarëve kanë vendosur të largohen nga kampi korçar edhe pse realisht kjo nuk ishte dëshira e tyre, por në një mënyrë janë të detyruar të mendojnë për veten duke qenë se shpresat te Skënderbeu janë të pakta.
I pari që braktisi “anijen” ishte Sabjen Lilaj. Menjëherë pas vendimit të CAS-it, ai u largua nga Skënderbeu dhe firmosi në Azerbajxhan. Ali Soue është largimi tjetër, pasi është kthyer në Itali te Kievo, klub që zotëronte kartonin e sulmuesit. Orges Shehi që ishte në dyshim tani nuk ka më nevojë të flasë, pasi vendimi i CAS-it ka thënë fjalën e fundit për “gardianin” që me 99 për qind luajti sezonin e fundit me korçarët.
Emri i lojtarit të fundit që po qarkullon si “firoja” e radhës është ai mesfushorit, Enis Gavazaj. Nuk ka ende detaje nëse ka gjetur ekip të ri, por ai shihet shumë largë Skënderbeut. Gjithçka pritet të marrë formë ditët e ardhshme, ndërkohë që sot është parashikuar dhe një mbledhje, e cila do drejtohet nga presidenti Ardjan Takaj, nga ku do vendoset shumë për të ardhmen.