Myrto Uzuni mund të realizojë debutimin me Kombëtaren e madhe të Shqipërisë në sfidën e ardhshme ndaj Jordanisë. Sulmuesi që aktivizohet në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit është lojtari kuqezi më në formë për momentin. Duke parë problemet me dëmtimet dhe minutat e pamjaftueshme që kanë grumbulluar me ekipet përkatëse (Grezda, Gavazaj) i krijon të gjitha kushtet 23-vjeçarit beratas që të hidhet në fushë në mbrëmjen e 10 tetorit.
Vetë trajneri i Shqipërisë Christian Panucci deklaroi në konferencën e djeshme për shtyp se me skuadrën kuqezi do të luajnë ata që e duan vërtet ekipin.
Në një prononcim para disa ditësh për “Supersport” Uzuni foli me pasion për Kombëtaren e Shqipërisë dhe dashurinë e hershme për fanelën kuqezi.
Performancat në rritje në futbollin kroat dhe shndërrimi në një prej titullarëve të Lokomotivës së Zagrebit janë sinjale të mira se një ditë Uzuni mund të kthehet në një yll të Kombëtares sonë.