Teuta është eliminuar nga Europa League pas një rezultati 6-0 në total kundër Kairat Almati, një skuadër me shumë buxhet dhe me lojtarë me potencial si Arshavin, Timoshuk apo edhe të tjerë që luajnë për kombëtare të ndryshme. Durrsakët nuk e përballuan dot potencialin e kundërshtarit kazak që në ndeshjen e parë, shpenzuan shumë energji, por u mundën në “Niko Dovana” 0-1. Në takimin e kthimit durrsakët u shpartalluan me rezultatin 5-0, duke u kthyer në shtëpi.
Udhëtimi nga Durrësi në Almati ishte një kalvar i gjatë për ekipin, i cili në fund u kthye në Shqipëri i zhgënjyer dhe me një mal me akuza mbi supe. Por, trajneri Julian Ahmataj tregon për eksperiencën e tij të parë dhe mohon zërat për trukim.
I kontaktuar nga “newsport.al”, Ahmataj u shpreh: “Për ne ishte eksperiencë e shkurtër që u pa që në short. Ishte ekip shumë i fortë. Pavarësisht që ne bëmë maksimumin, guxuam, bëmë lojën tonë dhe në Durrës u pa se ne donim fitoren, por ishim përballë një skuadre të fortë dhe u ndëshkuam”, tha fillimisht Ahmataj të cilit i është besuar pankina për sezonin e ardhshëm futbollistik.
I pyetur për kampionatin 37-vjeçari tregoi se Teutës i duhet merkato për të përballuar sezonin dhe për të qenë ekip konkurrues për të ardhmen. “Kemi kohë që të mendojmë. Skuadra ka nevojë për përforcime. Ne nuk arritëm t’i bënim afrimet për ndeshjet që kishim në Europë, sepse nuk kishte kohë. Por, duke parë shortin, nuk bëmë sepse kundërshtari ishte shumë i fortë. Kemi kohë të marrim lojtarë”, vijoi trajneri.
Në fund i pyetur për ndeshjet që përfliten si të trukuara, Ahmataj përgjigjet shkurt: “Ne nuk kemi asnjë lidhje me ato muhabete që fliten. Shqiptarët të njëjtin avaz kanë, me fjalë merren. Ne bëmë lojë të fortë. Në ndeshjen në Kazakistan tentuam të luanim si të njëjtë, por cilësia e tyre na mundi dhe na ndëshkuan me gola. Mbi të gjitha më mbetet në mendje se na ra fati i keq në short. Nga të gjithë ekipet shqiptare, ne na ra rruga më e largët dhe shorti më i fortë. Shpenzim energjish dhe parash”, përfundon tekniku.