Tirana e nisi këtë sezon që sapo lamë pas me në krye trajnerin Ilir Daja. Bardheblutë me teknikun kryeqytetas arritën të bënin mjaft mirë, madje në fillim të gjithë ishin optimistë për titullin kampion. Eksperienca dhe dora e Dajës në ekip ishte e dukshme duke dhuruar bukuri në lojë dhe shpejtësi në fushë. Megjithatë disa rezultate jo pozitive për 24-herë kampionët e Shqipërisë sollën shkarkimin e 50-vjeçarit nga pankina e Tiranës. Në mes të sezonit skuadra iu besua Mirel Josës, një trajner që kishte fituar për pesë vite rresht titullin me korçarët. Teksa pritej që të bëheshin lëvizje lojtarësh në merkaton e dimrit, UEFA njoftoi se për këtë sezon bardheblutë ishin të bllokuar për shkak të ngërçeve financiare. Ndaj trajneri Josa u detyrua të vijonte punën me lojtarët qe kishte në dispozicion. S’ishte menduar kurrë, por në fund të këtij edicioni bardheblutë e panë veten të zbrisnin një kategori më poshte, për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar.
Sot, mësohet se trajneri Josa pas një bisede me drejtuesit ka vendosur të largohet duke i dhënë fund aventurës 6-mujore në krye të Tiranës. Por pas këtij “divorci” lindin shumë pikëpytje në lidhje me ecurinë e bardhebluve në Kupat e Europës. Momentalisht ekipi stërvitet nga Gvozdenoviç dhe Egbo, por në orët e ardhshme pritet të mësohet “timonieri” i ri i bardhebluve. Nuk dihet nëse do të jetë nga tregu vendas apo i huaj, por shumë pikëpyetje lindin nëse ai do të jetë i aftë të njohë dhe të rigjenerojë ekipin deri n 29 qershor, datë që përkon me ndeshjen e parë zyrtare të vlefshme për Europa League-n.