Gugash Magani, nga nesër do të rinisë një tjetër eksperiencë me Teutën, ndërsa do të drejtojë durrsakët në takimin kundër Laçit, sfidë që do të zhvillohet në “Niko Dovana” në orën 14:00.
Trajneri peqinas u largua nga Flamurtari pas 4 muajsh në krye të stolit të vlonjatëve, ndërsa ndeshjen e parë kundër ish-ekipit të tij si trajner i Teutës, Magani do ta zhvillojë më 30 nëntor, në javën e 13-të të Superligës.
51-vjeçari do të rikthehet pas 4 javësh, sërish si “ish” në Vlorë, këtë herë nën drejtimin e Teutës, ndërsa tifozët e Flamurtarit janë duke menduar që tani për ta pritur me surpriza ish-trajnerin e skuadrës së tyre.
Tifozët e Flamurtarit ishin kundër largimit të Maganit, ndërsa ikja në heshtje pas ndeshjes ndaj Partizanit e trajnerit 51-vjeçar, pa pasur mundësinë për t’u përshëndetur me tifozët ka bërë që këta të fundit t’i rezervojnë një pritje speciale në sfidën Flamurtari-Teuta më 3 nëntor.
Kjo duke ditur edhe afeksionin e lartë që fansat vlonjatë krijuan me Maganin, një “dashuri” e nisur në 2011-ën, vit në të cilin trajneri peqinas mori për herë të parë drejtimin e skuadrës kuqezi.