Luiza Gega do të kthehet sonte në darkë në shqipëri. Nënkampionja e Amsterdamit bëri krenar çdo shqiptar duke arritur të renditet e dyta në 3000 metra me pengesa. Në garën e 3000 metrave me pengesa për femra, ajo regjistroi kohën e dytë më të shpejtë prej 9:28:52, duke vendosur kështu edhe një rekord kombëtar në këtë disiplinë.
Atletja dibrane pritet të kthehet në atdhe në orën 23:15, ku do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit. Ndryshe nga kombëtarja, nuk ka një njoftim zyrtar për kthimin e saj, ose t’i bëhet një pritje siç mund t’i ketë hije pasi ajo vjen me një medalje në Shqipëri, nënkampione europe. Nuk dihet nëse ditën e nesërme qeveria do të organizojë diçka në nder të saj ashtu siç bëri për kombëtaren shqiptare. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi foli me tone të ashpra kundër qeverisë duke e kritikuar për vëmendjen e paktë që i kanë kushtuar këtij suksesi. Ai premtoi që do të vinin me medalje në atdhe, dhe ashtu ndodhi. Ironia e Stërmasit qëndronte në faktin, që kuqezinjtë e kombëtares u pritën si heronj në atdhe duke u shpërblyer me 1 milion euro kurse për Luiza Gegën nuk kishte asnjë qindarkë.
” Dhatë 1 milion euro për të eliminuarit, s’jepni një qindarkë për medalistët”, ishte ironia e Stërmasit.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.