Ditën e sotme në orën 17:00 do të luhet një ndeshje shumë interesante në Kategorinë Superiore, e vlefshme për javën e 25 të kampionatit. Skënderbeu pret në shtëpi Kukësin. Në këtë takim, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi nuk do të ketë asnjë mungesë, përveç Bruno Lulajt, i cili së shpejti do të jetë gati.
Në këto kushte, tekniku e ka të gjithë skuadrën në dispozicion dhe padyshim që kërkohet një fitore, për të bërë kthesën në tabelën e klasifikimit, pasi një vend për në Kupat e Europës është mëse i arritshëm.
Jo vetëm kaq, por ecuria negative i javëve të fundit kërkon një kthesë dhe ku ka më mirë se ndaj një skuadre të madhe, ndaj nënkampionëve të vendit. Nëse “ujqërit” marrin 3 pikë sonte, atëherë kjo do të ishte “dhurata” e parë për Partizanin drejt titullit kampion, pasi do të ishte praktikisht e pamundur që verilindorët t’i afrohen në garën për titull.
Deri më tani të kuqtë e kryeqytetit renditen në vendin e parë me 50 pikë, kurse Kukësi në vendin e dytë me 44 pikë. Gara në javët e fundit të sezonit duket se do të jetë shumë interesante dhe mbetet për t’u parë duke filluar që nga 90 minutëshi i sotëm në Korçë.