Partizani u nis si një ekip pretendent në fillim të sezonit, por gjithçka shkoi si mos më keq për 15 herë kampionët e Shqipërisë në fund të tij. Mund të themi se Partizani ishte ekipi që ndërroi 3 herë ‘lëkurë’ dhe sërish nuk arriti ta mbyllte sezonin as edhe me një kualifikim në Europë. Në fillim të sezonit me bujë u afruan trajneri Iuliano dhe emra si Çani, Herrera, Basrak, Xhixhiua, Adorjan.
Emra të cilër u skarcuan të gjithë që në pa përfunduar muaji dhjetor ku i vetmi që rezistoi ishte Çani pavarësisht se në fund edhe ai do rezultonte një dështim. Në krye të pankinës u vendos Starova i cili riktheu ‘gardën e vjetër’ me Maloten, Krasniqin dhe Sukajn. Por këtë futbollistë do largoheshin të gjithë në merkaton e janarit dhe pak kohë pas tyre do shkarkohej edhe Starova.
Partizani “3” për këtë sezon do niste me Dalipin në stol dhe afrimin në merkato të emrave si Mala, Ramadani, Belica, Gojkovic, Telushi, Abdurahimi. Starti u duk premtues, por në fund gjithçka rezultoi një zhgënjim i madh. Ky duhet të jetë një mësim që ekipi duhet të krijojë një lloj balance gjatë sezonit dhe jo të ndërrojë ‘lëkurë’ çdo 3 muaj. /Newsport.al/