Sulmuesi francez Anthony Martial nuk ka ndërmend ta çojë dëm talentin e tij për aq kohë sa në pankinën e Manchester United është Jose Mourinho. 22-vjeçari është injoruar këtë sezon totalisht nga tekniku portugez dhe gjatë verës u përfol si zëvendësues i Cristiano Ronaldos te Real Madridi, por 100 milionë € që klubi anglez kërkonte për të shitur kartonin e tij e penguan transferimin e Martial në tokën iberike.
Sipas francezes “RMC Sport”, Martialit po i soset durimi dhe ka refuzuar të gjitha propozimet e “Djajve të Kuq” për të zgjatur qëndrimin e tij në “Old Trafford”.
Ky informacion ka vënë në “alarm” klubet e mëdha si: Bayern Munich, Juventus, Chelsea dhe Tottenham për të nisur përgatitjet për “joshjen” e 22-vjeçarit.
Në 144 ndeshje, Martial ka shënuar 38 gola për Manchester United, por statistikat e tij mund të përmirësohen ndjeshëm nëse gjen skuadrën e duhur dhe lirinë në fushë.