Menjëherë pas fundit të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Kamzës, e cila ka përfunduar 1-0, Ilir Daja, trajneri i Flamurtarit, ka folur për “Supersport”.
Ai ka thënë: “Ishte një rezultat shumë pozitiv, pasi dhe Kamza bëri një lojë të mirë. Në këto kushte nuk prisnim ndonjë spektakël. Torasa dhe Alvesh kanë sakrifikuar siç ka bërë gjithë ekipi. Kur projektohet një ekip, bëhet me gjithë lojtarët. Ne tani kemi pasur një kontigjent të plotë. Në fazën e dytë do të bëjmë dhe lojë të mirë.
Sigurisht që ka një rënie fizike. Nëse filtri i parë nuk funksionon, i bie bara gjithë ekipi. Kjo ndodhi sot me Torasën që e çuam në sulm, për t’i marë 100%. Nëse të gjithë sulmuesit do të ishin në gjendje të mirë s’do na kishte ndodhur kjo sot.
Jemi munduar bashkë me kolegët. Duke parë gjendjen e terrenit, kemi dashur ta vëmë ndeshjen para. Ishte një risk shumë i madh me të tre lojtarët më të mirë përpara, por na deshi fati.
Të them të drejtën ekipi nuk është ende i konsoliduar. Në aspektin taktik ne sulm dhe në mbrojtje. Në këtë minifazë do të bejmë më mirë, pasi do të kemi një rivalitet të madh. Nuk do i ndryshojmë objektivat, nuk duhet të rrisim kot pritshmëritë, por nuk do të thotë që nuk i ndryshojmë dot rrugës”.