Kukësi do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Torpedo Kutaisi ditën e enjte në “Elbasan Arena”, me misionin e vështirë të përmbysjes së humbjes 5-2 në Gjeorgji.
Megjithatë duket se verilindorët nuk i kanë humbur shpresat për një kualifikim në Play-off të Europa League, me drejtuesit që i kanë bërë thirrje tifozerisë për mbështetje masive në stadium për të motivuar skuadrën.
“Të gjithë bashkë, ia dalim! FK Kukësi fton të gjithë tifozët kuksianë, por edhe tifozë të tjerë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit për të mbështetur skuadrën në ndeshjen e kthimit kundër ekipit gjeorgjian Torpedo Kutaisi, sfidë që do të luhet më 16 gusht në “Elbasan Arena”, në orën 19:00. Kukësi regjistroi rezultat negativ në ndeshjen e parë, ndikuar nga shumë faktorë. Gjeorgjianët përdorën lloj-lloj strategjish dhe ia dolën, por nuk ka mbaruar. Duke pasur mbështetjen maksimale të tifozërisë, djemtë do të jenë akoma më të motivuar për të bërë përmbysjen e madhe. FK Kukësi beson se prania e tifozërisë është vendimtare në ndeshjen e kthimit. Të gjithë bashkë do ia dalim, mos mungoni!”, thuhet në postimin e klubit në Facebook.