Koha nuk pret dhe të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore duhet të impenjohen për dy sfida në harkun kohor të 7 ditëve. Trajneri Klodian Duro kërkon të nxjerrë mësime nga humbja ndaj Kukësit.
Edhe pse përballë kishin njërin prej pretendetëve kryesorë për titullin kampion, humbjet përkthehen në kosto për ecurinë e skuadrës së Kamzës. Ndërkohë ekipin kamzali e presin dy sfida përballë Besës në Kupë dhe Laçit në kampionat. Tekniku elbasanas ka lënë pushim lojtarët që u aktivizuan në fundjavë dhe ka nisur punën me pjesën e rezervave. Megjithatë, ndaj Besës ai mund të përdorë edhe një nga titullarët për t’i patur në kondicionin e duhur për sfidën delikate me Laçin. Ndaj kavajsëve Duro mund të hedhë në fushë njërin prej lojtarëve që është afruar në orët e fundit të merkatos dhe që nuk ka marrë minuta të mjaftueshme. Por me shumë gjasa sot do të caktohen dhe formacionet për dy ndeshjet vijuese.