Kampionati spanjoll ka nisur në mënyrë befasuese këtë sezon. Në 15 javë të luajtura, kemi një revalitet, që në vitet e fundit nuk jemi mësuar ta shohim. La Liga nuk është më e Real Madridit, por as e Barcelonës. Këto dy skuadra, me buxhetin e jashtëzakonshëm që kanë, që në start e tregonin menjëherë diferencën nga pjesa tjetër e tabelës, saqë në fund të sezonit, vendi i 3-të renditej thuajse 20 pikë larg të dytit.
Për vitin 2018-2019-të, në 15 takime, Barcelona udhëheq me 31 pikë, por aspak me siguri. Në vendin e dytë nuk ndodhet Real Madrid, as Atletico Madrid, por Sevilla që me vetëm 3 pikë më pak ka treguar se gara do të jetë shumë interesante deri në fund. Në këto kushte, në 4 vendet e para është një diferencë vetëm prej 5 pikësh. Më pas, nuk renditet Valencia, as Bilbao, apo Villareal që jemi mësuar të shohim.
Ky është sezoni i surprizave, ku skuadrat që kanë shkruajtur historinë e kësaj lige po hasin shumë vështirësi, e në këto kushte, kjo po shfrytëzohet shumë mirë nga klubet e tjera më të vogla si Levante, Betis, Celta Vigo etj, që kërkojnë padyshim një vend për në Kupat e Europës. Nga kjo “panorama”, mund të themi që La Liga nuk është më e Real Madridit, as e Barcelonës, pasi deri më tani asnjë prej tyre nuk e ka treguar se mund ta fitojë kampionatin në fund të sezonit.