Korçarët kanë hedhur pas krahëve fitoren e arritur në kampionat kundër Luftëtarit, ndërsa kanë nisur përgatitjet për dy sfidat e radhës që do të zhvillohen këtë javë. Të mërkurën kampionët në fuqi do të luajnë në kupë kundër Butrintit për kompeticionin e Kupës, ndërsa të shtunën do të presin në fushën e tyre Vllazninë.
Por, përpara këtyre dy takimeve trajneri Andrea Agostinelli ka zhvilluar analizën e zakonshme për sfidën e fundit, ndërsa janë bërë me dije problemet e fundit që shqetësojnë ekipin. Në seancën e parë kanë munguar tre lojtarë me rëndësi; Argjend Mustafa, Hamdi Salihi dhe Marko Radas.
Kroati që luan në mbrojtje vijon terapinë intensive për t’u rikthyer me grupin sa më shpejt, ndërsa kosovari Mustafa është lënë pushim për shkak një dëmtimi të lehtë.
Ka rënë në sy mungesa e “bomberit” Hamdi Salihi, të cilit klubi i ka dhënë 24 orë më tepër leje për të pushuar, ndërsa nesër do të jetë me grupin.