Mentor Mazrekaj ishte shumë pranë transferimit te Kukësi në këtë merkato vere, por në momentin e fundit, drejtuesit e klubit të kuq ndryshuan mendje.
Mesfushori kosovar nuk bën pjesë në planet e trajnerit Sormani, të paktën për momentin, gjë të cilën e tregon fakti se Mazrekaj edhe pse e ka kaluar dëmtimin nuk ka hyrë në stërvitje me grupin që ka në dispozicion italiani i stolit të Partizanit.
Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se ishte vetë 27-vjeçari, i cili kërkoi një mundësi tjetër për të pasur hapësira në dispozicion dhe Kukësi u shfaq në horizont, i bindur se do të rikthente Mazrekajn e dikurshëm.
Nga çka mësohet, ditën e enjte, mesfushori kosovar ka pasur një takim kokë më kokë me presidentin e Partizanit, Gazmend Demin, ndërsa ky i fundit i dhënë “OK”-in lojtarit për t’u huazuar te skuadra verilindore.
Gjithçka dukej e përfunduar, por në orët e pasdites së djeshme, klubi i kuq ka bllokuar marrëveshjen duke habitur jo pak klubin e Kukësit dhe vetë lojtarin. Një gjë e tillë duket se ka ardhur nga presioni i madh në rrjetet sociale nga ana e tifozëve të Partizanit të cilët ishin kundër kësaj lëvizjeje.
Tashmë Mazrekaj mbetet i kuq edhe për një tjetër sezon, ndërsa pritet të shihet se cili do të jetë trajtimi që do t’i bëhet mesfushorit nga ana e trajnerit Sormani, i cili deri në këto momente nuk është se ka shfaqur ndonjë “dashuri” të madhe për futbollistin kosovar.