Trajneri i kuqezinjve ka konfirmuar merkaton e Flamurtarit, ndërsa është shprehur relativisht i kënaqur me grupin që ka në dispozicion. Ai ka zhvilluar një takim me presidentin Sinan Idrizi, me të cilin ka folur për dy javët e para të stërvitjes, por edhe për merkaton dhe vazhdimësinë.
Gugash Magani ka pranuar se grupi është kompletuar, ndërsa mbetet për t’u bërë vetëm një afrim, i cili do të jetë me potencial për kuqezinjtë, pra lojtar që do të bëjë diferencën. Normalisht që do të jetë shqiptar, pasi aktivizimi i të huajve është i limituar në elitën e futbollit tonë.
“Kam zhvilluar një takim me presidentin Idrizi ku kemi diskutuar për gjithçka te Flamurtari. Natyrisht për merkaton e deritanishme dhe për stërvitjen. Në përgjithësi unë kam thënë se kjo do të jetë skuadra e sezonit të ri”.
“Me shumë mundësi merkato është e mbyllur, pasi kemi bërë afrimet e duhura. Minimalisht mund të kemi dhe një lëvizje te Flamurtari. E them këtë, sepse jam i bindur te skuadra dhe se i vetmi afrim që mund të bëhet duhet që të na bëjë shumë punë”.
“Jemi duke parë vetëm në tregun tonë, pasi të huaj nuk mund të marrim më. Në përgjithësi jemi të kënaqur me afrimet e deritanishme. Jam i kënaqur me përgatitjet e deritanishme, por kemi shumë punë për të bërë në vazhdim”.