Tirana-Vllaznia luhet nesër në orën 19:00 në “Selman Stërmasi”, sfidë që do të hapë siparin e javës së 27-të të Superligës.
Një “klasike” në kushte jo shumë të zakonta për dy nga skuadrat më të njohura në Shqipëri, dy ekipe ikonë dhe klube futbolli që kanë prodhuar pa fund talente.
Por, situata në të cilën ndodhen në këtë sezon e bën sfidën Tirana-Vllaznia një “klasike” jo për titull si dikur, por për mbijetesë.
Gjithsesi, një gjë e tillë nuk ia zbeh vlerat një sfide të tillë, sidomos duke ditur elementët që të dy kampet kanë në organikën e tyre.
Një ndër ta është edhe Elis Bakaj, sulmuesi kryeqytetas, i cili për dy sezone radhazi ishte golashënuesi më i mirë i Tiranës. Nga janari, 28-vjeçari është bërë pjesë e Vllaznisë, ka shënuar 4 gola në kampionat dhe ka forcuar pa diskutim repartin e avancuar të kuqebluve.
Nesër vjen në kryeqytet si një ‘ish’ i Tiranës. E shkuara me fanellën bardheblu sigurisht që nuk do të thotë se Bakaj do të jetë nostalgjik për ato 90-minuta të sfidës në “Selman Stërmasi”, edhe pse nuk përjashtohet fakti se do të ndihet si në shtëpi, një etiketim ky i bërë nga vetë Elis Bakaj për ekipin më të titulluar në vend.
Tiranës i mungon një Bakaj, ndërsa bardheblutë e humbën atë në momentin e fundit, pasi ish-sulmuesi i Kombëtares nënshkroi me 24 herë kampionët e vendit në merkaton e janarit dhe më pas u detyrua “ta griste” kontratën, pasi ajo rezultoi e pavlefshme. Kjo për arsye se Tiranës iu pezullua merkatoja nga FIFA, për një detyrim financiar të dërguar me vonesë në destinacion. / NEWSPORT.AL