Gjirokastritët kanë nisur punën qysh prej dy javë më parë, por ende nuk kanë gjetur rrugën për të bërë ekipin e duhur për sezonin e ri futbollistik. Mungojnë shumë lojtarë cilësorë në organikë, ndërsa të ardhurit në provë nuk kanë bindur. Por, ata janë ende të shumtë në numër, çka detyron trajnerin Mladen Milinkoviç të largojë shumë vetë.
Dje janë parë 35 vetë në stërvitje, por numri i tyre sot duhet të reduktohet në të paktën 25 vetë, të cilët do të udhëtojnë drejt Verias së Greqisë për fazën përgatitore. Trajneri dhe stafi drejtues ende nuk e kanë ndarë mendjen, ndërsa dhe firmat e lojtarëve të rinj vijnë si me pikatore.
Të huajt – Është lënë që 6 futbollistë të huaj t’i bashkohen ekipit vetëm në fazën përgatitore. Mësohet se do të jenë nga një për secilin repart, por emrat nuk bëhen ende të ditur.