Luftëtari nuk e heq për asnjë topin nga këmba. Dueli me letonezët e Ventspils nuk i ka lënë të pushojë futbollistët gjirokastritë. Skuadra dhe stafi teknik me sllovenin Kostic kanë praktikuar goditjet standarte dhe pasimet e shpejta për t’u mos dhënë kohë kundërshtarëve balltik të organizohen në mbrojtje dhe sulm.
Nga ana tjetër njësoj si Kukësi, formacioni i Luftëtarit gatë është i përcaktuar ku do të zënë vend dhe blerjet e reja të merkatos verore. Porta i besohet Buksovskit, reparti i mbrojtjes rreshtohet nga Lejdi Liçaj, Oltion Rapa, Nemanja Janicic dhe Jackson. Mefusha ndërtohet me 3 pjesë: Albano Aleksi, Erjon Vucaj dhe Behar Ramadani. Krahët plotësohen me të përhershmin Dejvi Bregu dhe serbin Vladan Miloslavjev. Rolin e “pykës” e merr Vasil Shkurtaj.
Skuadra ka analizuar dje dhe detajet teknike të kundërshtarëve si dhe ka verfikuar deficitet në lojë gjatë testeve të fundit miqësore. Ndeshja luhet ditën e enjte në Letoni.