Skuadra e Luftëtarit ka bërë një gjest humanizmi ditën e sotme. Lojtarët e skuadrës dhe trajneri Milinkoviç kanë qenë në azilin e të moshuarve në Gjirokastër për t’iu bërë disa dhurata banorëve të këtij institucioni në prag të festave të fundvitit.
Në fjalën e tij, trajneri Milinkoviç iu ka bërë ftesë të gjithë të moshuarit e azilit të Gjirokastrës për të qenë në stadium nesër kundër Kukësit, ndërsa i ka falënderuar për mikpritjen.
“Jemi të gëzuar që jemi këtu me këta njerëz të moshuar. Gjatë gjithë vitit kemi pasur mbështetjen nga ana e tifozëve tanë, por kemi ndjerë gjithashtu edhe mikpritjen e qytetarëve të Gjirokastrës.
Ndaj sot kemi ardhur për t’iu dhënë pak dashuri njerëzve që jetojnë në këtë azil.
Janë festat e fundviti dhe ne si personazhe publikë e ndjejmë se duhet të kujdesemi për këtë shtresë të shoqërisë. Do dëshironim që edhe njerëz të tjerë të na merrnin ne si shembull dhe të bënin të njëjtin veprim si ne me këta të moshuar.
Faleminderit për mikpritjen! Jeni të ftuar të gjithë nesër në stadium për të parë ndeshjen kundër Kukësit dhe shpresojmë që t’iu gëzojmë edhe me një fitore”, përfundoi fjalën e tij, trajneri i Luftëtarit, Mladen Milinkoviç.