Dikur luante në Shqipëri, ndërsa tashmë është pjesë e Feronikelit në Kosovë. Ylli Hoxha, ish-mesfushori i Kukësit dhe Flamurtarit ka dhënë një prononcim për mikrofonin e RTSH teksa fillimisht është ndalur te trajneri Sulejman Starova, i cili ka marrë nën drejtim ekipin kosovar.
“Jam i kënaqur me Feronikelin. Jam në vendlindjen time dhe nuk besoj se do të lëviz më. Në skuadër na ka ardhur një trajner si Starova. Unë kam punuar me të edhe te Kukësi kur ka qenë si drejtor dhe më pas si trajner. Po na ecën mirë dhe ai po ambientohet. Ka shkuar gjithçka shumë mirë dhe besoj se jemi në rrugën e drejtë”, tha fillimisht 30-vjeçari.
Më tej ai bëri një krahasim të futbollit shqiptar me atë kosovar teksa u shpreh:
“Është e vërtetë që futbolli në Kosovë po ngrihet. Sidomos pas pranimit nga UEFA. Duhet edhe pak kohë që të ngrihet në nivelet e drejta. Në Shqipëri infrastruktura është më e mirë. Në Kosovë ka shumë fusha në të cilat ka nevojë për investim. Janë 4-5 fusha mjaft të mira”.
Dëshirën për një Ligë të Përbashkët nuk e fsheh, megjithatë për të kjo do të jetë mjaft e vështirë të realizohet.
“Liga e Përbashkët do të ishte një gjë shumë e mirë, por mendoj që do të jetë mjaft e vështirë që të ndodhë ajo”, përfundoi Ylli Hoxha.