Tërbuni nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, ndërsa e njëjta situatë e vështirë është edhe jashtë fushës, ku siç raportohet së fundmi, lojtarët nuk janë paguar, madje ditën e sotme skuadra pukjane nuk është lejuar të stërvitet në ish-kompleksin “Olimpiku” në Yrshek.
Skuadra e Tërbunit stërvitet prej kohësh tashmë në këtë kompleks në periferi të kryeqytetit, por sipas një denoncimi të publikuar në faqen e tifozëve të Tërbunit, “Tërbuni Ultras Club”, klubi nuk ka paguar detyrimet që ka ndaj këtij subjekti dhe për këtë arsye nuk është lejuar të ushtrojë aktivitetin.
Në statusin e publikuar në faqen e tifozëve pukjanë në Facebook, mesazhi që denoncon këtë ngjarje shkruhet se ka ardhur nga brenda ekipit, por pa saktësuar emrin e lojtarit që e ka dërguar, apo të ndonjë pjesëtari të mundshëm të stafit teknik të Tërbunit.
Ajo çka raportohet është fakti se futbollistët kanë kohë pa u paguar dhe mbi të gjitha iu qenka komunikuar që të stërviten në mënyrë individuale deri në ditën e ndeshjes së radhës të Grupit B në Kategorinë e Parë.
Denoncuesi i situatës së ekipit ku bën pjesë ka një dedikim edhe për tifozët e Tërbunit duke i cilësuar ata si forcën e skuadrës, ndërsa këtë gjendje e quan “të turpshme dhe fundi i futbollit”.