Situata te skuadra e Flamurtarit s’është aspak e mirë. Rrogat e pashlyera nga ana e presidencës vlonjate kanë shkaktuar pakënaqësi te futbollistët. Danilo Alvesh është një nga lojtarët që ende s’është kthyer në ekip dhe gjasat janë që të mos vijë më, nëse nuk do të zgjidhet çështja e financave.
Edhe pse presidenti Sinan Idrizi ka kërcënuar me gjoba, sulmuesi vijon i qetë pushimet në plazhet e Brazilit. Kjo nuk është e para herë që ai kthehet në çështje në klubin kuqezi. Edhe në sezonet e shkuara, ka ndodhur e njëjta histori me potentin e majës së sulmit.
Vetë futbollisti nuk ka pranuar të shprehet në lidhje me këtë temë, ndërsa menaxherët e tij kanë theksuar se s’do të kthehet nëse nuk paguhet sipas asaj që është firmosur në kontratë.