Ditën e nesërme, në orën 17:00, do të luhet ndeshja më e madhe e futbollit anglez. Liverpool pret në shtëpi Manchester United. Ky duel mbetet gjithmonë i jashtëzakonshëm, për rivalitetin e madhe që kanë patur këto skuadra në vite. Në fakt, duhet theksuar, se United e ka dominuar kampionatin nën drejtimin e trajnerit Sir Alex Ferguson, i cili në 26 vite arriti që të fitonte 13 herë titullin e Premier League, duke e bërë kështu United, skuadrën 20 herë kampione të Anglisë. Ndërkohë, që në “Old Trafford” bëhej festë në fund të sezonit, në “Anfield Road” shpresohej për vitin e ardhshëm. Pas një pritjeje 28 vjeçare, duke mbetur ende tek trofeu ë 18-të, duket sikur festa do të kalojë në anën tjetër, dhe jo pa arsye.
Sezoni 2018-2019-të ka nisur shumë mirë për Liverpool, ku pas 16 ndeshjeve të luajtura renditen në vendin e parë me 42 pikë, 1 më shumë se Manchester City. Në këto takime të luajtura, të kuqtë kanë pësuar vetëm 6 gola, më pak se çdo skuadër tjetër. Pra, ndryshe nga ai Liverpool i viteve të shkuara, ku pësonte shumë në prapavijë. Kjo është padyshim meritë e trajnerit Jurgen Klopp, i cili ka bërë që të gjithë tifozët e Liverpool të ëndërrojnë titullin në fund të sezonit. Një fitore nesër do t’i jepte më shumë besim ekipit për të vazhduar këtë ecuri pozitive. Liverpool-Manchester United gjithmonë ka qenë një ndeshje e veçantë, por nëse këtë sezon trofeu shkon në “Anfield”, atëherë në sfidat e ardhshme do të kemi një rivalitet ende më të madh.