Hasan Lika, doli në konferencë për shtyp para takimit Kukësi-Austri e Vjenës. Trajneri i skuadrës verilindore shpreson për një kualifikim të mundshëm, teksa ka menduar edhe për 11-metërshat. Lika shprehet shumë optimist, duke pasur një besim të madh te djemtë e tij. Gjithashtu “timonieri” i Kukësit foli edhe për dy lojtarët e huazuar nga Skënderbeu. Një rëndësi e veçantë iu kushtua premios të vënë në dispozicion nga presidenca e klubit, teksa deklaroi që ajo është një motivim më tepër për të kaluar turin.
“Sigurisht që jemi përgatitur nga të gjitha anët edhe pse duam ta zgjidhim kualifikimin në 90 minuta. Penalltitë janë një mundësi, ndaj kemi menduar edhe për ato në këtë përballje. Ne do të luajmë për t’u kualifikuar në 90 minuta dhe kam besim se do ta zgjidhim në favorin tonë këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht Lika.
Latifi – Fukui -“Mendoj se Latifi jo vetëm djathtas por edhe majtas ka luajtur dhe ka bërë paraqitje shumë të mirë. Për ne ka luajtur mirë si Latifi dhe Fukui, por në një ndeshje ndryshojnë krahët e lojtarëve. Gjithsesi, mendoj se aktivizimi si i Latifit dhe Fukuit ishte në nivelet qe kërkonim dhe besoj se ashtu do jenë edhe në këtë ndeshje”, vijoi më tej Hasan Lika.
Shanset dhe Premio – “Duke qenë në fushën tonë shanset janë më të mëdha se të atyre, por ato luhen brenda fushës. Duhet të jemi optimistë dhe të kujdesshëm në lojën që do të bëjmë. Duke pasur parasysh pikat e forta të kundërshtarit dhe anët pozitive të ndeshjes së kaluar mendoj se do bëjmë më mirë në këtë përballje. Në çdo ndeshje duam ta kalojmë me sukses dhe në varësi të kundërshtarit duhet të luajmë ndeshjen tonë, siç jemi mësuar të luajmë ne. Premio? Premio ka qenë motivuese gjithnjë”.
Tifozët – “Nuk kemi pse i druhemi dështimit, por duhet të luajmë një futboll të mirë dhe është pozitive përkrahja e tifozëve në të gjitha momentet dhe ato i japin kurajo skuadrës për ndeshjen. Rezultati? Të gjithë duam të kualifikohemi”.