Pas humbjes 1-0 nga Skënderbeu, ka folur për mediat dhe trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi. Trajneri tha për “Supersport” se ai do vijojë punën në krye të klubit të kuq.
“Në pjesën e parë bëmë një ndeshje shumë të mirë. Pjesa e parë na shkoi perfekt, por mungesa e saktësisë bëri që të pësonim.
Një faull në minutat e fundit, morëm një gol nga një top të dytë. Fati ishte në anën e tyre. Nuk e meritonim humbjen. Mendoj se Skënderbeu ishte me fat sot. Një pikë, s’është se na bënte shumë punë, ishte ndeshje për të fituar, Skënderbeu nuk kishte ndonjë presion.
Dominuam takimin, por nuk kishim fatin në krahun tonë. Unë kam besim te klubi, klubi mund të ketë një plan B, apo gazetarët. Gjithsesi unë do të bëj gjithçka për sa kohë të jem këtu. Unë dua të lë gjurmë këtu. Mesazhet e mediave dhe rrjeteve sociale nuk i bëjnë mirë skuadrës sonë.
Trajneri kroat që ishte sot në stadium, mund të ishte për punë tjetër. Gjithsesi kjo gjë më motivon akoma më shumë.
Rezultati na penalizoi, kam shumë plane në kokë, gjithsesi tani po mendoj për javën e ardhshme. Klubi e di, që unë edhe në rolin e trajnerit të dytë, kam marrë shumë përgjegjësi.
Si trajner i dytë nuk do të rrija më. Do të shikoj për të ardhmen time diku tjetër, edhe pse unë dua shumë që të qëndroj këtu.”