Skuadra e Teutës në datën 5 korrik do të fillojë përgatitjet për sezonin 2018-2019-të në stadiumin “Niko Dovana”. Në një postim nërrjetet sociale klubi i Teutës ka komentuar në të njëjtën kohë se për fazën përgatitore shihet si mundësi që të zhvillohen në Bullgari, por gjithashtu edhe në Itali.
Përsa i përket merkatos ekipi durrsak është në bisedime me mesfushorët kosovar Florent Avdyli dhe Roni Gashi, klubi informon se janë në bisedime edhe me lojtarë të tjerë, por për momentin ende nuk ka emra konkret.
“Përgatitjet për sezonin e ri, Teuta do t’i fillojë më 5 korrik në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, ku do të qëndrojnë rreth 10 ditë, e më pas do të kryejë një fazë përgatitore jashtë vendit. Akoma nuk është caktuar destinacioni, por drejtuesit e klubit po shqyrtojnë disa alternativa, përveç Bullgarisë dhe Sllovenisë. Mësohet se edhe Italia është një pistë e re për durrsakët. Edicionin e kaluar bregdetarët zhvilluan një fazë model në vendin fqinj, ku qëndruan rreth një muaj, teksa zhvilluan edhe disa ndeshje miqësore. Kushtet e shkëlqyera duket se kanë bindur drejtuesit ta shohin sërish me interes këtë opsion. Gjithsesi, akoma nuk është zyrtarizuar asgjë, pasi drejtuesit janë duke i shqyrtuar me kujdes të gjitha opsionet. Në këtë moment, vëmendja më e madhe është përqendruar te merkato, ku priten disa afrime cilësore në të gjitha repartet, duke filluar nga mbrojtja për të vazhduar me mesfushën dhe sulmin. Përveç mesfushorëve kosovarë, Florent Avdyli dhe Roni Gashi, me të cilët klubi është ende në bisedime, Teuta po monitoron me kujdes edhe disa lojtarë të tjerë, kryesisht nga Kategoria Superiore, por edhe Superliga e Kosovës”, shkruhet në profilin zyrtar të skuadrës së Teutës.