Partizani do të luajë kundër Flamurtarit në kuadër të javës së 25-të të Superiores. Të kuqtë janë pritës dhe duke qenë se kanë një kontratë për t’i zhvilluar ndeshjet brenda në “Selman Stërmasi”, pritej që 15 herë kampionët e Shqipërisë të luanin në kryeqytet. Megjithatë “ngërçi” qëndron te fusha, pasi të premten Tirana do të presë Skënderbeun, ndërsa Partizani do të luajë një ditë më pas.
Ende nuk dihet nëse tapeti i këtij impianti i përballon dy takime në dy ditë rresht. Për këtë newsport.al kontaktoi zëdhënësin për shtyp të Partizanit, Olsi Ranxhin, i cili deklaroi: “Nuk është vendosur asgjë akoma. Nesër do të interesohemi”, përfundoi shkurt ai.
Një mundësi është që të kuqtë të luajnë në “Elbasan Arena”, megjithatë kjo do të mësohet përfundimisht vetëm në ditët e ardhshme.