“Marrë shkas nga shkrimet e sotme ne media dëshirojmë të reagojmë dhe të bëjmë të qartë që me vendimin e CAS është mbyllur historia e dënimit të klubit tonë. Për klubin tonë kjo histori është mbyllur përfundimisht.
Fillimisht dëshirojmë të rikujtojmë edhe njëherë se Klubi i futbollit “Skënderbeu” nuk u dënua kurrë për trukim, por për shkak të dyshimeve u konsiderua i “papërshtatshëm” për të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Diçka të tillë e vërteton dhe dënimi një-vjeçar i klubit. Legjislacioni i UEFA-s parashikon dënim mbi 5 vjeçar kur faktohet trukimi i ndeshjeve.
Ai që sot është konsideruar si raporti i UEFA-s mbi trukimet e ndeshjeve ku ka luajtur Skënderbeu nuk është asgjë tjetër veçse dosja e Federbet, kompania e kontraktuar nga ana e UEFA-s për të ndërtuar dosjen e akuzës.
Ai raport nuk është asgjë tjetër veçse dosja e “prokurorit” të çështjes. Gjykata sportive ka dhënë dënimin për Skënderbeun, dënim me pezullim për sezonin 2016-2017. Vendimi është shlyer dhe për momentin klubi i Skënderbeut është i pafajshëm dhe ka miratimin e UEFA-s për të luajtur në kompeticionet europiane për sezonin 2017-2018.
Dosja e akuzës jo detyrimisht mbart të vërteta brenda saj. Asnjë nga ato që janë shkruar në akuzë nuk janë faktuar me dëshmi ose prova konkrete nga komisionet përkatëse të UEFA-s dhe diçka të tillë e vërteton dënimi vetëm për një sezon.
Klubi i Skënderbeut informon tifozët se nuk ka asnjë çështje gjyqësore të hapur dhe kjo mund të konfirmohet lehtësisht në institucionet gjyqësore të UEFA-s.
Ky sulm mediatik ishte i pritshëm nga klubi ynë prej muajsh. Problemi i mediave është ecuaria pozitive e Skënderbeut. Por duhet të kuptohet se me këto sulme po dëmtohet jo vetëm Skënderbeu por krejt futbolli Shqiptar, i cili për hir të së vërtetës njeh një rritje të madhe dhe cilësore gjatë viteve të fundit”, shkruan klubi korçar.