Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një njoftimi zyrtar bën me dije që ditën e djeshme është grumbulluar Kombëtarja e femrave U-19 në hotel “Dyrrahu” në Durrës. Përfaqësuesja e femrave U-19 do të nisë përgatitjet për Euro 2017.
“Ky grumbullim bëhet në kuadrin e përgatitjeve që skuadra e kësaj grupmoshe, do të bëjë për pjesëmarrjen në eliminatoret e Kampionatit Europian. Ndeshjet e grupit tonë, në të cilin përveç Shqipërisë marrin pjesë edhe Qipro, Serbia dhe Skocia, do të luhen në Tiranë dhe Durrës. Skuadrat e tjera, do të akomodohen në resortin “Tropikal”. Turneu do të zhvillohet nga data 14-19 shtator. Ky është edicioni i 16 i Kampionatit Europian të femrave, finalet e të cilit do të luhen në vitin 2017.
“Ne do të përpiqemi që të paraqitemi sa më mirë në këtë turne, pavarësisht se kemi përballë kundërshtare të forta. Gjatë kësaj jave, deri përpara fillimit të turneut do të mundohemi që të bëjmë kolaudimet e fundit për të qenë gati më 14 shtator”-theksoi trajneri i ekipit kombëtar U-19 për femra, Nevil Dede. Ja cilat janë futbollistet që ai ka thirrur në këtë turne:
Portiere: Ardiola Raxhimi, Fabiola Mullai
Mbrojtëse: Klarina Goro, Xhulia Xhindole, Sabina Kasa, Altea Aliaj, Anxhela Aliu, Greza Haziri, Silvana Jova, Bjorna Doko
Mesfushore: Desantila Koldashi, Blerta Shala, Antigona Behluli, Uendi Muja, Ajdena Mustafai, Vanesa Levanaj, Anisa Kotorja, Ariana Hasani
Sulmuese: Kesjana Goro, Ilaria Zarka, Sara Begallo, Klarita Myrtollari”, shkruhej në njoftimin e FSHF-së.