Tomori ka bërë ndryshime në stafin drejtues të klubit, ndërsa së fundmi është larguar nga posti i administratorit, Gersi Arbëri. Sipas një njoftimi zyrtar nga ana e klubit bertas, ish-kapiteni që mbante këtë post që nga janari i këtij viti tashmë do të zëvendësohet nga Albano Ziu.
Nuk dihen ende arsyet e largimit të Gersi Arbërit nga posti i administratorit të klubit, por një gjë duket e sigurt, te Tomori ka pasur shumë polemika gjatë ditëve të fundit dhe një lëvizje e tillë mund të jetë pasojë e “furtunës” së problemeve brenda klubit.
Trajneri Bledar Sinella zgjodhi të largohej ditën e djeshme nga posti që mbante në skuadër, ndërsa në orët e paradites së sotme, ai ka zhvilluar një takim me presidentin e klubit, Petrit Sinajn, njëkohësisht edhe kryetari i bashkisë së Beratit.
Një takim që ka bindur trajnerin kavajas të rimarrë detyrën e tij, ndërsa pritet që sot ai të drejtojë seancën stërvitore të Tomorit.
Por ajo që bën çudi është fakti se pak orë pas takimit të “pajtimit” të ideve mes Sinellës dhe presidentit të klubit, ka ardhur edhe lajmi se Gersi Arbëri ka dhënë dorëheqjen nga posti i administratorit të klubit beratas.