Renato Malota i ka gëzuar sot të gjithë, teksa është shfaqur në seancën stërvitore që ka zhvilluar skuadra e Vllaznisë për ndeshjen e radhës kundër Lushnjës.
Për qendërmbrojtësin lezhian nuk ka pasur asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me të, por sot ai i ka surprizuar të gjithë lojtarët që ishin të pranishëm në këtë seancë stërvitore. Gjykata e Lezhës ka marrë vendim për Malotën, “hetim në gjendje të lirë”.
Vetë lojtari në një prononcim të shkurtër për faqen zyrtare të klubit ka thënë: “Sot Gjykata vendosi për hetim në gjendje të lirë ndaj meje ngaqë nuk kishte fakte të mjaftueshme për mua.
Një vendim që ka ardhur ngaqë u konstatua se unë personalisht nuk kam asnjë firmë të hedhur në asnjë dokument për të cilin jam akuzuar dhe po ashtu, edhe çertifikata e pronësisë nuk është tërhequr nga institucionet përkatëse.
Po vërtetohet ajo që kam thënë prej fillimit se unë jam i pafajshëm në gjithë këtë histori.
Sot erdha sa për të takuar drejtuesit dhe shokët e ekipit dhe nesër do të jem në stërvitje dhe në dispozicion të stafit teknik“, deklaroi ai.