Gentjan Muça i është nënshtruar sot një ndërhyrje kirurgjikale në Itali pas problemit shëndetësor me shpinën.
Qendërmbrojtësi i Tiranës është operuar ditën e sotme në klinikën e Juventusit, ndërsa ndërhyrjen kirurgjikale e ka kryer i njëjti mjek i cili ka operuar edhe kapitenin e Italisë, portierin Gianluigi Buffon pak vite më parë.
Newsport.al mëson se gjithçka ka shkuar shumë mirë për Muçën, pasi operacioni ka përfunduar me sukses. Pas disa ditësh qëndrim në Itali, mbrojtësi bardheblu do të rikthehet në Tiranë ku do t’i nënshtrohet procesit të rikuperimit, i cili do të zgjatë dy muaj, pra më pak se ç’ishte parashikuar.
Problemi në shpinë (vuante nga hernia diskale) e ka lënë prej disa javësh jashtë fushave Gentjan Muçën, i cili pritet të jetë i gatshëm për Tiranën në fazën përgatitore të skuadrës.