Superiorja do të nisë me datë 28 janar. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, FSHF-ja bën me dije që është shtyrë me një javë starti i fazës së tretë për shkak të kushteve të vështira atmosferike që përfshinë vendin ditët e fundit. Në faqen zyrtare të FSHF-së në facebook, shkruhet:
“Pas një komunikimi të vazhdueshëm me klubet e Kategorisë Superiore për të arritur një konsensus të plotë, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të shtyjë me një javë rifillimin e Fazës së 3-të të Kampionatit Kombëtar, e planifikuar të niste me datë 21 janar. Për shkak të temperaturave të ulëta, kohës së ftohtë dhe mbi të gjitha, edhe pas një akordi dhe konsensusi të plotë me të 10 klubet e Superiores, Faza e tretë e Kampionatit do të nisë në datën 28 janar 2017, ndërkohë që data 21 do të rekuperohet në një ditë tjetër, e cila do t’iu njoftohet sa më shpejt”, përfundon njoftimi i FSHF-së.
Tashmë pritet të shihet se si do të vijojë faza përgatitore e skuadrave të cilat ndodhen jashtë vendit.