Tirana do të luajë me Partizanin në “Selman Stermasi”, në datë 1 dhjetor, ndeshje e vlefshme për javën e 13-të të Superiores. Burime për newsport.al bëjnë me dije që policia e Tiranës ka kërkuar një takim me klubet dhe tifozëritë respektive disa ditë para këtij derbi. Frika nga incidentet ka bërë që forcat e rendit të marrin masa, duke kërkuar ndihmën e klubeve, por edhe tifozëve.
Derbi Tirana-Partizani përcjell emocione të jashtëzakonshme në kryeqytet, teksa tifozëritë respektive e nisin ndeshjen e tyre në distancë duke “thumbuar” njëra-tjetrën. Rivaliteti i këtyre skuadrave është mjaft i madh, si në fushën e blertë, ashtu edhe në fushën e stadiumit. Madje ka nga ata lojtarë, të cilët janë të përbetuar që nuk do të veshin fanellat e skuadrave kundërshtare asnjëherë në jetën e tyre.
Por më e veçanta qëndron te tifozëritë e të dy ekipeve. Guerrilsat nuk pranojnë që asnjë ngjyrë bardheblu të jetë e pranishme në trupin e tyre, ndërsa Fanaticsat nuk e prekin asgjë që është ngjyrë e kuqe duke ruajtur me fanatizëm ngjyrat e skuadrës së zemrës.