Partizani u njoh sot me vendimin e Komisionit të Disiplinës, ku të kuqtë u gjobitën pas ngjarjeve që ndodhën në stadiumin “Zeqir Ymeri”, ku tifozët e kuq thyen disa stola në ndeshjen Kukësi – Partizani. Ky është impianti i katërt që klubi i Partizanit duhet të zhdëmtojë, pasi më parë është dënuar nga ky organ për stadiumin “Skënderbeu”, “Elbasan Arena” dhe “Selman Stërmasi”. Për të mësuar më shumë rreth këtyre çështjeve, newsport.al kontaktoi juristin dhe avokatin e klubit të Partizanit, Gerald Burbën, i cili deklaroi:
“Kemi likuiduar ato stadiume të cilat kanë sjellë fakte të pakundërshtueshme mbi dëmet e shkaktuar nga ana e tifozërisë sonë (gjendjen e inventarit të stadiumit para ndeshjes dhe pas ndeshjes), vlerën reale të dëmit sipas inventareve të objekteve të dëmtuara, faturën përkatëse për likuidimin e kësaj vlere dhe numrat e llogarive bankare ku kemi mundur të kryejmë pagesën”.