Në takimin e nesërm që Kosova do të luajë kundër Finlandës nuk duhet të ketë simbole kuqezi. Federata e futbollit të Finlandës ka deklaruar se përveç simboleve të saj dhe të Kosovës, në stadium nuk duhet të shpalosen simbole të një shteti të tretë.
Lajmërimin e bëri të ditur Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi për shtyp.
“FFK-ja njofton mbarë opinionin dhe adhuruesit e futbollit veçmas ata që nesër do të jenë në ndeshjen Finlanda-Kosova, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime në stadium lejohen vetëm simbolet e Finlandës dhe Kosovës dhe asnjë simbol apo rekuizitë që asocon me ndonjë shtet të tretë. Ky është vendim Federatës së Futbollit të Finlandës. Po ashtu në tribunën prapa portës, lejohen vetëm simbolet e Finlandës. Në mënyrë që ndeshjen e parë historike ndërkombëtare Kosova ta kalojë pa asnjë problem dhe incident eventual, ndaj ju lusim për mirëkuptim”, lexohej në deklaratën për shtyp të FFK-së.