Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza kallëzohet në Prokurori.
Gjoza, njëkohësisht edhe administratori i LSIsë në Tiranë është kallëzuar me akuzën se ka regjistruar 70 persona në mënyrë fiktive, sikur ishin pjesë e banesës së tij.
“Konica.al” raporton se seksioni i Hetimit të Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit Elez Gjoza.
Sipas Policisë, nga hetimet e kryera, dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe regjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake Nr.2, është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë më 25.06.2017. “Ai u premtonte këtyre shtetasve vende pune në këmbim të votës. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit, po punojnë për saktësimin e gjeneraliteteve të këtyre shtetasve”, deklaron Policia e Shtetit.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike”, “Korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Falsifikim i dokumentave”. Elez Gjoza rrezikon burg nga 6 muaj deri në 4 vjet. Si President i Federatës së Peshëngritjes ai u akuzua drejtpërdrejt nga Erkand Qerimaj, që favorizonte peshëngritësit, duke i futur në LSI, duke abuzuar edhe me fondet dhe dietat e peshëngritësve.